Shisnin drogë në burgun e Peqinit, kërkohen 77 vite burg për 7 persona

21/02/2016 10:45

Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar dënimin me 77 vite burgim në total për 7 persona, pjesë e një rrjeti shpërndarjeje lëndësh narkotike, të cilën e shisnin në burgun e Peqinit nëpërmjet ndihmës së një gardiani.

Këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në qytetin e Elbasanit dhe nëpërmjet punonjësit të burgut Zenel Nezha, ia jepnin të burgosurit Dorjan Tatoshi, i cili më tej ua shiste të burgosurve të tjerë.

Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Elbasanit kërkon dënimin e shtetasve Ardjan Serica me 10 vjet e 6 muaj burgim, Romeo Serica me 10 vjet e 6 muaj burgim, Ferit Serica me 10 vjet e 6 muaj burgim, Jurxhgens Kurani me 12 vjet burgim, Dorian Tatoshi me 12 vjet burgim, Zenel Nezha me 15 vjet burgim dhe Altin Bektashi me 7 vjet burgim.

Për zbulimin e rrjetit, prokuroria në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve pati vënë në përgjim gardianin Nezha, i cili gjatë shërbimit fuste drogën brenda institucionit.

Nga hetimet ka rezultuar se lëndët narkotike që kërkoheshin më shumë nga të dënuarit kanë qenë hashashi dhe heroina, ndërsa në raste të rralla është futur edhe kokainë.

Top Channel