
I shkarkuar nga Reali i Madridit por me një bonus të majmë për sa kohë do të jetë i papunë, Rafael Benitez është kthyer në një gjah të lehtë për mediat sportive.
Tekniku spanjoll këtë herë ka dalë në skenë për të vlerësuar homologun e tij, Pep Guardiola për kalimin e pritshëm te Manchester City në fund të sezonit.
45-vjeçari është zyrtarizuar se do jetë pasuesi i Pellegrinit në “Etihad Stadium” dhe sipas Benitez, Guardiola do të sjellë pasion dhe eksperiencë te City.
“Mendoj se Pellegrini është trajner i mirë dhe çfarë do të arrijë ose jo Guardiola nuk e ndryshon këtë fakt. Jam impresionuar nga Guardiola që kur e kam takuar vite më parë. Ai i qëndron strikt metodave të tij dhe është i apasionuar pas punës”, tha Rafael Benitez.
“Ai është i destinuar që të ketë sukses dhe të fitojë tituj me Cityn. Do të jetë interesante se si do të ndërtojë skuadrën e tij pasi Guardiola pëlqen futbollistët që e mbajnë topin dhe pikërisht këta do të kërkojë të blejë në verë”, vijoi ai.
Top Channel