Ngërçi i shkarkimit të ministrave, Nishani i drejtohet Kushtetueses

20/02/2016 19:15

Nuk ka më asnjë pikëpyetje se presidenti i Republikës ka dyshime për mënyrën sesi duhet zbatuar Kushetuta, kur kryeministri i propozon shkarkimin dhe emërimin e ministrave.

Kreu i shtetit i ka këkruar intepretim Gjykatës Kushtetuese për piken e parë të nenit, ku Kushtetuta i cakton presidentit 7 ditë kohë për të çuar dekretet në Parlament pas propozimit të kryeministrit.

Ajo që ka bërë deri tani presidenti është se ka nxjerrë vetëm 2 dekrete, ato të shkarkimit dhe siç paralajmëroi Top Channel tre ditë më parë, ai nuk do t’i firmoste dy dekretet e emërimit nëse Parlamenti nuk merrte më parë në shqyrtim dekretet e shkarkimit.

Presidenti Nishani e ka bërë disa herë këtë procedure, kur ka çuar në Parlament, së bashku, dekretet e shkarkimit dhe ato të emërimit, pa pritur që Kuvendi të marrë më parë në shqyrtim dekretet që largojnë ministrat nga detyra.

Sipas shpjegimit të presidentit, Kuvendi ka krijuar një ngërç duke lënë pa fuqi dy dekretet dhe duke mos i dhënë shans kreut të shtetit të nxjerrë dy të rejat sipas afatit 7-ditor.

Bujar Nishani thotë se, duke qenë se norma kushtetuese është e paqartë, i takon Gjykatës Kushtetuese të shprehet për këtë pikë të saj.

Presidenti i Republikës pretendon se Kushtetuta nuk e ka kufizuar atë vetëm në kontrollin formal të propozimeve të përcjella nga kryeministri, pavarësisht se gjatë presidencave të tjera ka patur raste që presidenti ka proceduar edhe në drejtim të kontrollit substancial të propozimit, edhe pse në fund e ka dekretuar sipas sugjerimit të kryeministrit.

Nisma e Nishanit vjen menjëherë pasi qeveria paralajmëroi se, nëse presidenti shkel afatin 7-ditor dhe nuk sjell të gjitha dekretet në Kuvend, mazhoranca do të ndërmarrë nismën për shkakrimin e tij. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA