Hashash drejt Greqisë, prokuroria kërkon 5 vjet burg për Elton Çakon

20/02/2016 15:50

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon 5 vjet e 4 muaj burg për Elton Çakon, i arrestuar pothuajse një vit me parë, në Kakavijë me 13.5 kg kanabis sativa.

Sipas prokurorisë, Çako ka dhënë një version të dyshimtë për sigurimin e lëndës narkotike, por megjithatë hetimet nuk kanë provuar se cilët kanë qënë bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë hetimit, Çako ka thënë se një ditë para se të arrestohej, ai ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij, tip Nissan.

Në një moment, një mjeti para tij i ka rënë një çantë sportive. Ai ka ndaluar mjetin, ka marrë çantën dhe ka ndjekur mjetin, të cilit i kishte rënë çanta. Por, pasi nuk e kishte arritur, i pandehuri kishte konstatuar se në çantë ndodhej lëndë narkotike. Meqenëse një ditë më pas do të nisej në Greqi për shkak të një vizite mjekësore të bashkëshortes, ka menduar ta kalojë në Greqi për ta shitur dhe për të fituar ndonjë të ardhur.

Pavarësisht se sqarimi i faktit se si e ka siguruar lëndën narkotike nuk ka qenë bindës, hetimet nuk arritën të identifikonin bashkëpunëtorë të mundshëm të tij.

Top Channel