Pogba kërkon të punojë me Guardiolën

19/02/2016 13:10

E ardhmja e Paul Pogba mund të jetë te Manchester City. Është vetë mesfushori francez ai që e ka deklaruar këtë në një intervistë për median gjermane, ku ai ka vlerësuar punën e atij që do të jetë trajneri i “Citizens” sezonin e ardhshëm, Pep Guardiola.

“Tani jam një futbollist i Juventusit, por mundësitë që të punoj me Guardiolën mund të rriten në të ardhmen. Ai është një trajner me eksperiencë dhe ka një filozofi loje shumë të mirë. Guardiola ka shumë ndikim në skuadër dhe të gjithë lojtarët e respektojnë. Është një ikonë e futbollit dhe kam dëgjuar se është në gjendje që të përmirësojë çdo futbollist që ka në dispozicion”, tha Pogba për Sky Sport të Gjermanisë.

Kjo deklaratë mund të vërë shumë shpejt në lëvizje Manchester City, që së fundmi ka vënë në shënjestër edhe një tjetër mesfushor dhe bëhet fjalë për Toni Kroos. Sipas asaj që publikohet nga e përditshmja spanjolle AS, drejtuesit e klubit anglez në fillim të këtij viti kontaktuan me përfaqësuesit e futbollistit gjerman për të parë sesa mundësi ka që ai të pranojë kalimin te “Citizens”.

Top Channel