Futbolli anglez, mendohet reduktimi i kalendarit

19/02/2016 00:00

Ndeshjet e Europa League kompletuan një javë negative për klubet angleze në arenën europiane. Manchester United humbi në Danimarkë ndërsa Tottneham dhe Liverpool vetëm sa barazuan në ndeshjet e tyre me Fiorentinën dhe Augsburg, kurse të martën, Chelsea humbi ndaj PSG-së në Ligën e Kampionëve.

Për këtë arsye Federata Angleze e Futbollit po mendon për shkurtimin e kalendarit futbollistik me synim përmirësimin e rezultateve të skuadrave të Premier League. Mësohet se drejtuesit e këtij institucioni ditët e fundit zhvilluan një takim me ata të klubeve për të diskutuar uljen e numrit të ndeshjeve.

U fol shumë për heqjen e ndeshjes shtesë në FA Cup në rast se ka barazim dhe në lehtësimin e Capital One Cup dhe ideja është që ndeshjet gjysmëfinale të këtij aktiviteti të bëhen me ndeshje unike.

Klubet kërkuan gjithashtu që ndeshjet e Kupës të luhen gjatë javës për të sistemuar kalendarin dhe për të fituar një periudhë pushimi më të gjatë në kohën e Krishtlindjeve.

Në 3 sezonet e fundit në aktivitete europiane, vetëm Chelsea arriti të avancojë përtej raundit të 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve, në sezonin 2013/2014 kur u eliminua në gjysmëfinale nga Atletico Madrid, ndërkohë që përfaqësuesja angleze nuk feston në futboll që nga viti 1966 kur fitoi të vetmin trofe botëror.

Në Angli tashmë ekziston frika se me këtë paraqitje që po bëjnë klubet e Premier Leagues, Anglia mund të kalohet nga Italia në renditjen e UEFA. Aktualisht diferenca mes këtyre dy vendeve në këtë klasifikim është vetëm 3 pikë.

Premier League dominoi renditjen e UEFA-s në përiudhën 2008-2013, por përpara dhe pas kësaj periudhe në krye kanë qendë skuadrat e kampionatit spanjoll.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta