Në bashkëbisedimin me qytetarë korçarë Ben Blushi vuri në dukje disa herë shpresën e tij për të ndaluar atë që e quan shndërrim të PS-së në biznes privat, ku ndalohet vota.
“Jam duke u përpjekur që autobusi të mos dalë nga rruga, por sigurisht që nuk kam ndërmend që ta ndjek shoferin deri në greminë dhe kam vendosur të eci përpara për t’i thënë Shqipërisë se çfarë nuk po bëhet mirë”, tha Blushi.
Ajo çfarë synon Ben Blushi është t’u dhënë të pakënaqurve diçka që e quan “paketa e dinjitetit”, të cilën e sheh si të kundërtën e varfërisë, korrupsionit, padrejtësisë dhe pabarazisë.
“Kështu që nëse unë do të kem mundësinë të administroi ndonjë gjë do të jetë administrimi i pakënaqësisë”, u shpreh Blushi.
Heroi i Ben Blushit është një personazh i Hollivudit, Forrest Gump. Ai e tregoi shumë shkurt fabulën e njeriut që nisi të vraponte i vetëm.
“Një ditë u bë lajm në të gjithë Amerikën, një njeri që vrapon, të cilin kur e pyesnin pse përgjigjej: Për të kundërshtuar. Një ditë sheh nga pas dhe pa 1 milionë njerëz sepse ata po vraponin si ai, për të kundërshtuar atë që nuk ju pëlqente. Kjo është, kjo do të thotë të administrosh pakënaqësinë, ta kthesh në një mundësi për të ndryshuar vendin. Edhe unë bashkë me ju mund ta bëjmë këtë gjë”, deklaroi nga Korça Blushi.
Top Channel