Peng për rrjeta peshku, arrestohen babë e bir në Divjakë

18/02/2016 09:20

Astrit dhe Roland Prifti, babë e bir, u arrestuan nga Policia e Lushnjes të akuzuar për pengmarrje. Ata rrëmbyen shtetasin Shkëlzen Janku dhe e kanë torturuar në mes të pyllit të Parkut të Divjakës. Ata e akuzonin për vjedhjen e rrjetave të peshkimit, në një zonë në lagunë.

“Në atë moment del i ati i tij me një dru dhe një litar. Më gjuan një herë në këmbë, ndërsa e pyeta se çfarë kishin dhe a ishin në terezi me atë ç’po bënin. Më thanë se, unë duhej të nxirrja rrjetat me se s’bën. Më lidhën me litar, më çuan te pishat dhe duke më kërkuar të tregoja për rrjetat edhe më gjuanin. Më torturuan për rreth 15 minuta me 25 gjuajtje me dru. I ati i thoshte të birit të ikte, sepse mua do më vriste aty ku më kishte lidhur”, rrëfen Shkëlzen Janku.

Janku tregoi sesi mundi t’i bindë ta lëshojnë.

“U premtova se do të mundohesha t’ua gjeja rrjetat. I mora me të mira, u thashë se kushdo që mund t’i kishte marrë rrjetat, unë do t’ua gjeja. U kërkova vetëm të mos më bënin gjë dhe të më linin të shkoja në shtëpi. Ranë dakord, por me një ultimatum: nëse deri të shtunën nuk ua ktheja dhe nëse do të shkoja në polici, mua do të më vrisnin me gjithë familjen”, thotë më tej Janku.

Sapo iu ka ikur nga duart rrëmbyesve, ai ka shkuar në polici për t’i paditur. Ndërsa e ëma thotë se, edhe të tjerë e kanë pësuar.

“I kishin thënë djalit se nuk ishte i pari ai, që ishte rrahur në atë mënyrë. Nuk e di pse nuk janë dënuar më parë. Ata janë racë kriminelësh dhe bëjnë presione, ndërsa kanë vrarë e kanë mbytur më përpara”, shprehet Gonxhe Koçi.

Dy të arrestuarit, së bashku me disa familjarë të tjerë, kanë zënë një hapësirë pranë plazhit të Divjakës dhe kryejnë peshkim. Aty ka ndodhur edhe vjedhja e rrjetave, për të cilat ata torturuan 29-vjeçarin.

Top Channel