“Fullani” nuk dekreton Trocin. Projekti i Byrosë kalon në Parlament

18/02/2016 14:00

Ramadan Troci nuk është një prokuror i zakonshëm. Në karrierën e tij, ai mbahet mend si njeriu që prangosi në rrugë guvernatorin në detyrë të Bankës së Shqipërisë dhe, pak kohë pas emërimit në krye të Prokurorisë së Vlorës, arrestoi kryetarin në detyrë të Bashkisë, Shpëtim Gjika.

I njohur si njeri i afërt i kryeprokurorit Adriatik Llalla, ai shkoi së bashku me disa emra të tjerë si propozim i Këshillit të Prokurorëve për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pranë njësisë “Task Force” Antikorrupsion.

Por Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nuk e dekretoi atë.

Megjithëse nuk dha asnjë argument zyrtar, Top Channel ka mësuar se, mosdekretimi i Trocit është për shkak të deklarimeve të tij politike. Top Channel zbuloi në Facebook-un e prokurorit një pëlqim që ai i ka bërë parrullës jozyrtare të Ilir Metës, nga stafi i tij.

“Me qetësi dhe dashuri”, Ilir Meta (reagimi: Shprehje sa 1000000 fjalë)

Por edhe më të rënda kanë qenë, në fakt, sulmet politike ndaj prokurorit të dorës së fortë nga ish-kryeministri Sali Berisha. Pikërisht në ditët e para pas arrestimit të ish-ministrit Spiro Ksera, Sali Berisha bëri këtë koment në Facebook-un e tij.

“I bëj thirrje trupit gjykues të gjykojë bazuar në ligjin dhe vetëm ligjin, pa asnjë ndikim politik nga prokurorët e sojit Troci. I bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të ndalojë përdorimin në Prokurori të praktikave ataviste që kompromentojnë rëndë që në nisje procesin e hetimit”, ka shkruar Berisha më 31 janar.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme i pohuan Top Channel se, mosdekretimi i Ramadan Trocit bëhet pikërisht për motive politike. Ndër to, më i rëndësishmi, ai për çështjen “Fullani”.

Ditën e mosdekretimit të Trocit, Qeveria ka dërguar në Parlament projektligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Ky projektligj do të futet në procedurë normale parlamentare. Kjo, sipas terminologjisë burokratike të Parlamentit, do të thotë se atë, fillimisht do ta shqyrtojë Byroja, e më pas komisionet përkatëse.

E përkthyer në terma kohorë, ky projektligj do të kërkojë së paku dy javë, përpara se të shohë sallën e Kuvendit. E thënë ndryshe, pasi në Tiranë të mbërrijnë rekomandimet e “Venecias” për draftin e reformës në drejtësi. Kështu përfundon saga e këtij ligji, që për një muaj trazoi politikën, median dhe publikun. Si gjithmonë, shumë zhurmë për asgjë.

Sa u përket dekretimeve, në listë Presidenti ka zgjedhur 4 për te Krimet e Rënda: Klodian Brahon, Pranvera Pustinën, Arenc Celën dhe Sonila Muhametin; si dhe të tjerë në prokuroritë e rretheve Tiranë, Shkodër, Lushnje dhe Vlorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA