Ndërsa afron sezoni i ri i Botërorit të Formulës 1, skuadrat nisin prezantimin e makinave të tyre. E ka bërë një gjë të tillë Red Bulli, që zbuloi modelin e ri të makinës RB12, me ndryshime të rëndësishme në pamjen e jashtme të saj.
Në vitin 2015 Red Bulli zhgënjeu duke u renditur në vendin e katërt në klasifikimin për konstruktorë, gjë që nuk dëshirohet të përsëritet këtë vit te skuadra austriake. Megjithatë, Daniel Ricciardo deklaroi se Red Bulli ka ende shumë punë për të bërë për të arritur në nivelin e Mercedesit.
“Nuk them se jam i shqetësuar, por nuk e teproj me optimizmin. Jam realist dhe them se nuk do të jemi më të shpejtët në garën e parë, por mendoj se mund të përmirësohemi. Mendoj se ndoshta pas 4-5 garave të para do të jemi në gjendje të arrijmë diçka dhe ndoshta shanset tona do të rriten me kalimin e kohës”, tha Ricciardo.
Piloti australian, i cili në vitin 2014 fitoi 3 gara, sezonin e kaluar nuk regjistroi asnjë fitore. Ricciardo deklaroi se këtë vit ai kërkon që të rikthehet te sukseset: “Objektivi im është që të kthehem te fitoret. E di që kjo mund të mos ndodhë shpesh, por nëse do të më jepen shanset do të kërkoj t’i shfrytëzoj ato”.
Red Bulli, që do të garojë me motorët Renault nën markën Tag Heuer, do të zbresë në pistë ditën e hënë në Barcelonë, ku do të zhvillohen edhe testet e para dimërore, ndërkohë që Botërori do të nisë në 20 mars me Çmimin e Madh të Australisë.
Top Channel