Arrestohet kreu i Tatimeve të Tiranës, i ktheu 4 mln lekë mall një biznesmeni

18/02/2016 00:00

Shefi i Tatimeve të Tiranës, Androkli Kokthi u arrestua pasditen e së enjtes, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Në hetime rezulton se, një muaj më parë, ai i kishte kthyer mallin me një vlerë prej 4 milionë lekësh një biznesmeni, mall i cili ishte bllokuar më parë nga specialistët e Drejtorisë së Tatimeve.

Urdhri i drejtorit Rajonal të Tatimeve të Tiranës për kthimin e mallit, pjesë këmbimi automjetesh, sipas Policisë është joligjor. Po sipas saj është konsumuar vepra e “shpërdorimit të detyrës”. Të njëjtat dyshime i ka konsideruar edhe Prokuroria si të bazuara në ligj, ndaj dhe ka ngritur akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, duke firmosur urdhrin e arrestimit.

Malli ishte bllokuar e ndodhej në rezervat e shtetit, dhe duhej të riblihej sipas ligjit nga biznesmeni, por drejtori ia ktheu këtë mall me anë të një shkrese, e cila konsiderohet tashmë provë shkresore në proces.

Por, në hetime të mëtejshme në lidhje me drejtuesin e Tatimeve të kryeqytetit, Policia tha se dyshon për një sërë veprimesh joligjore. Mënyra e veprimit të drejtorit të Tatimeve ka qenë e njëjta sipas dyshimeve: ai ka kthyer mallra me vlera të konsiderueshme disa biznesmenëve, por këto dyshime ende nuk janë kthyer në një akuzë.

Prokuroria do ta dërgojë atë në gjykatë, për caktimin e masës së sigurisë vetëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, për rastin kur ka vërtetuar se vetëm një subjekti i ka kthyer mallin e sekuestruar me vlerë 4 milionë lekë.

Rastet e tjera – tha policia, – do të hetohen një pas një. Androkli Kokthi, drejtor i Tatimeve të Tiranës, kishte në këtë detyrë më shumë se dy vite.

Top Channel