Tiranë, maskat e godasin me grushte dhe i grabisin 10 mijë euro

17/02/2016 09:30

10 mijë euro i janë grabitur një qytetari mëngjesin e kësaj të mërkure, në zonën e njohur si Xhamlliku në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ali Baushi”, ku disa persona të maskuar kanë dhunuar dhe më pas grabitur shtetasin me iniciale A.D., i cili mësohet se shumën e parave sapo ia kishte marrë një personi që ia kishte patur borxh.

Nga hetimet e para ka rezultuar se autorët janë larguar me një automjet tip Wolksvagen Golf, ndërsa policia e Komisariatit nr.4 nisi menjëherë hetimet.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit, pak çaste pasi personi i grabitur ka dalë nga banesa e shtetasit E.T., ku kishte shkuar për të marrë borxhin prej 10 mijë eurosh. Ky detaj ka bërë që uniformat blu të kenë dyshime të forta se grabitja mund të jetë organizuar nga shtetasi E.T., i cili është shoqëruar në komisaritat për t’u marrë në pyetje.

Policia ndërkohë ka bërë të mundur identifikimin e targës së automjetit me të cilin janë larguar autorët, ndërsa shtetasi i grabitur është në gjëndje të mirë shëndetësore, ndonëse është goditur me grushta dhe sende të forta.

Top Channel