Ndryshimet në qeveri, Nishani dekreton shkarkimet por jo emërimet

17/02/2016 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i është përgjigjur propozimeve të Edi Ramës vetëm për shkarkimin e ministrave Shkëlqim Cani dhe Arben Ahmetaj.

Nga katër dekrete që priteshin nga kreu i shtetit për lëvizjet në kabinetin qeveritar, ai ka nxjerrë vetëm dy: lirimin nga detyra të Canit dhe Ahmetajt. Por nuk ka nxjerre dekretin e emërimit të Ahmetajt te Financat dhe Milva Ekonomit tek Ekonomia.

Kushtetuta i jep 7 ditë kohë kreut të shtetit të shprehet me dekret për propozimet e kryeministrit për ndryshime në qeveri, por kjo lëvizje e Nishanit bie në sy si një praktikë që nuk ka ndodhur me lëvizjet e mëparshme në kabinetin qeverisës të Edi Ramës, kur dekretin e lirimit dhe shkarkimit e ka publikuar në një ditë.

Përpos kësaj, dekretet e shkarkimit të ministrave Cani e Ahmetaj do të votohen nesër në Kuvend, bëhet e ditur nga ky institucion. Çfarë ndodh në rast të miratimi të shkarkimeve të dy ministrave?

Burime pranë Kuvendit bëjnë me dije se posti i ministrit të Financave dhe atij të Ekonomisë mbetet vakant. Po të njëjtat burime konfirmojnë se pavarësisht kalimit të afatit 7-ditor që Kushtetuta i jep kreut të shtetit për dekretet e emërimeve, propozimet e kryeministrit nuk rrëzohen.

Dekreti quhet i vlefshëm kurdo që presidenti t’i bëjë publike, Parlamenti është i detyruar t’i votojë, thotë Gjykata Kushtetuese në një interpretim që ka bërë vite më parë për një ngërç të ngjashëm. Por deri kur kjo të ndodhë, dy ministritë mbeten pa ministra.

Marrë në konsideratë këtë, mbetet për t’u pritur lëvizja e kreut të shtetit për emërimet e ministrave, sikundër mbetet për t’u parë si do të veprojë mazhoranca nesër në seancë për votimin e shkarkimit të Canit e Ahmetajt.

Kushtetuta i jep 10 ditë kohë Parlamentit për të votuar dekretet e shkarkimeve dhe emërimeve të presidentit.

Top Channel