Ministri grek i Emigracionit ka akuzuar vendet anëtare të BE-së për hipokrizi dhe gënjeshtra lidhur me deklaratat se Greqia nuk është në gjendje të kontrollojë fluksin e emigrantëve nga Turqia.
“Deklaratat se ne nuk kemi nën kontroll kufijtë tanë janë gënjeshtra. Ne kemi kontrollin detar më të mirë”, ka deklaruar Yiannis Mouzalas.
Këto ministri i ka thënë për BBC, në prag të samitit të BE-së që mbahet ditën e enjte, ku Greqia do të raportojë mbi përpjekjet e saj për regjistrimin e refugjatëve, shumica e të cilëve nga Siria.
Athinës i është kërkuar të përforcojë kontrollet në kufi, për të siguruar që refugjatët të identifikohen dhe që ata të cilët nuk kanë nevojë për mbrojtje të kthehen në Turqi ose në vendet prejardhëse.
Ministri Mouzalas theksoi se, arsyeja kryesore pse qeveria e tij ka ecur me ritme të ngadalta në regjistrimin dhe identifikimin e emigrantëve është sepse BE vonoi në sigurimin e pajisjeve dhe personelit.
“Përse tani ka progres me regjistrimin? Nga 10 për qind, tani jemi në 90%, sepse tani i sollën aparatet që ne kishim kërkuar”, ka thënë Mouzalas, duke iu referuar Eurodac, një bazë të dhënash për gjurmët e gishtave.
Ministri helen bëri kritika të ashpra ndaj vendeve si Hungaria dhe Sllovenia, por edhe të tjera të BE-së, që kanë dërguar ekipe policore në Maqedoni, për të ndihmuar autoritetet vendase në mbikëqyrjen e kufirit me Greqinë, për të penguar kalimin ilegal në Maqedoni.
Javën e kaluar, qeveria austriake njoftoi atë maqedonase se ishte gati të bllokonte kufirin për të ndalur fluksin e refugjatëve.
Top Channel