Llalla: Drejtësia pa vonesa rrit besimin qytetar tek drejtësia

16/02/2016 11:45

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka deklaruar se, prokuroria shqiptare e mirëpret pjesëmarrjen në programin “Drejtësi pa Vonesa”, pasi është një mënyrë efikase për rritur shpejtësinë e hetimit dhe sidomos gjykimit.

“Përvoja ndërkombëtare, e cila është përcjellë nëpërmjet OSBE-së dhe USAID-it, synon gjykimin e shpejtë. Nëpërmjet këtij procesi ritmik, natyrisht zvogëlohet ndjeshëm edhe mundësia e korruptimit të zyrtarëve që ushtrojnë funksionet në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Llalla gjatë një takimi me prokurorë e juristë në Tropojë.

Numri 1 i organit të akuzës ka theksuar se, të gjithë duhet të angazhohemi për të forcuar besimin e opinionit publik tek sistemi i drejtësisë dhe rritja e shpejtësisë në dhënien e drejtësisë është mënyra më e mirë për të arritur këtë qëllim.

“Duke qëndruar tek projekti madhor i shtetit shqiptar për realizimin e reformës në drejtësi, është shumë e nevojshme që kjo çështje të diskutohet në sa më shumë rrethe publike, institucionale dhe shoqërore”, ka sugjeruar Llalla.

Ai ka vlerësuar se, Shqipëria ka arritur pjekurinë e nevojshme për të besuar se rruga për integrimin në Bashkimin Europian kalon, krahas çështjeve të tjera, edhe nëpërmjet forcimit të sistemit të drejtësisë.

“Tashmë janë kushtet e duhura që vendi ynë të marrë përsipër nismat e nevojshme për t’u përafruar me legjislacionin e Bashkimit Europian. Objektivi kryesor dhe madhor i reformës, natyrisht është realizimi i një sistemi të drejtë dhe larg korrupsionit. Është e qartë se perceptimi i opinionit mbi korrupsionin në Shqipëri shtrihet në pjesën më të madhe të sektorëve të jetës publike”, ka shtuar Llalla.

Top Channel