Marrëveshja Shqipëri-SHBA 6 miliardë USD për gazin, Reuters jep detaje: Pakti është për 20 vite Kryeministri Edi Rama ka zëvendësuar ministrin e Financave Shkelqim Cani, me tashmë ish-ministrin e Ekonomisë dhe privatizimeve, Arben Ahmetaj, duke shënuar kështu ndryshimin e katërt në qeveri nga ministrat socialistë dhe të pestin pas emërimit të Ylli Manjanit ministër Drejtësie nëntorin e shkuar.
Shkelqim Cani, i vetmi ministër që nuk kishte dorëzuar mandatin e deputetit, tashmë rikthehet në Parlament, ndërsa zëvendësimi i tij i ka dhënë fund premtimit të kryeministrit se do të mbyllte mandatin e parë me të njëjtët ministra.
Rreth orës 19 e 30 të së hënës, në telefonin e Shkëlqim Canit është shfaqur emri i Edi Ramës, i cili ka kërkuar të takohen.
10 minuta më pas Cani ka mbërritur në Kryeministri për një takim kokë më kokë nga ku i është komunikuar shkarkimi. Për herë të fundit nga dera e selisë së Qeverisë, si ministër i shkarkuar, Cani ka dalë në orën 20:00.
Burime brenda Partise Socialiste i thanë Top Channel se mes Canit e Ramës ka patur gjithnje diskutime dhe debate lidhur me çështje të financave dhe një nga arsyet pse Rama zgjodhi Canin në këtë post ishte pikërisht fakti se në këtë pozicion delikat, Kryeministrit i duhej një njeri me përvojën e tij, por edhe me qëndrime deri diku konservatore përballë ideve të Ramës që kërkonin më shumë fleksibilitet.
Po të njëjtat burime thonë se raportet e fundit ndërkombëtare për stabilizimin dhe nisjen e rimëkëmbjes së ekonomisë, kanë bindur edhe Ramën edhe Canin se tashmë kishte ardhur koha e një ndryshimi.
“Kryeministri e informoi ministrin Cani për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër dhe i kërkoi vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave”, thonë burimet.
Në këtë ditë nuk mund të mungonte edhe reagimi i opozitës, që e sheh zëvendësimin e Canit me Ahmetajn si një rast të volitshëm për të sulmuar Qeverinë.
“Pasi bëri kurban Shkëlqim Canin për të mbuluar vjedhjen e 400 milionë dollarëve në tatime dhe dogana, me caktimin e Arben Ahmetajt si ministër Financash, Rama konfirmoi se plaçkitja, zhvajtja, mbushja e xhepave me paratë e shqiptarëve, janë standardet e tij të qeverisjes. Këto arnime korruptive pasqyrojnë vetëm interesat financiare të Edi Ramës. Ato do ta thellojnë edhe më tej rekordin e vjedhjes, varfërinë dhe krizën që janë produktet e vetme të kësaj Qeverie”, shkruajti Basha në rrjetet sociale.
Shkarkimi Shkëlqim Canit dhe dorëheqja e Nasip Naços e cojnë në 2 numrin e ministrave të larguar nga kabineti Rama. Burime nga kryeministria sugjerojnë për ndryshime të tjera në kabinet duke lënë të kuptohet se Rama ka hequr dorë nga qeverisja deri në fund të mandatit me të njëjtët ministra.
Top Channel