Mbërrin stuhia afrikane, zagushi dhe smog shkretëtire

15/02/2016 15:30

Që prej së dielës vendin tonë e kanë përfshirë masa të ngrohta ajri që kanë sjellë si rrjedhojë temperatura të pazakonta për stinën. Deri të mërkurën, shumë vende të Europës juglindore do jenë të mbuluara nga një stuhi rëre afrikane.

E marta do të jetë dita kur stuhia do të jetë në pikun e saj, duke shënuar vlerat më të larta të temperaturave edhe në zonat malore të Kukësit.

“Janë futur masa ajrore të nxehta nga brigjet afrikane të cilat kanë sjellë sot një rritje të temperaturave që në orët e para të mëngjesit. Nga brigjet e kontinentit afrikan ka fryrë një sasi rëre që era e ka shtyrë më tej dhe ka përfshirë edhe territorin tonë. Temperatura të larta mbi normë, parashikohet në zonat e ulëta e bregdetare të regjistrohet deri në 28 gradë Celcius”, thotë meteorologia Rezarta Xhakollari.

Stabilizimi i temperaturave do të vijë të enjten ndërsa fundjava e ardhshme do të ketë edhe reshje shiu.

Top Channel