Komentet e Aurier, Blanc: Është për keqardhje

15/02/2016 00:00

Trajneri i PSG-së, Laurent Blanc i është kundërpërgjigjur lojtarit të tij, Sergio Aurier, i cili të shtunën mbrëma në një sesion me pyetje-përgjigje me fansat e tij në rrjete sociale ofenfoi rëndë trajnerin, Ibrën, portierin Sirigu dhe mbrojtësin  Van der Wiel.

“Reagova shumë keq. Ne jemi të gjithë të lirë të kemi mendimet tona, por për atë djalosh, para dy vitesh, u angazhova personalisht që të transferohej tek Parisi prandaj ajo çfarë ka thënë është për të ardhur keq”, u shpreh Blanc.

Ai nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet tjera që lidhen me incidentin e së shtunës mbrëma, por ka deklaruar se Aurier duhej të ishte duke u përgatitur për Chelsean në vend se të qëndronte në shtëpi.

“Ai penalizoi veten. Ai duhej të ishte duke u përgatitur për Chelsean, për një ndeshje ne një kompeticion ku të gjithë duan të luajnë në vend se të qëndronte në shtëpi duke mos ditur çfarë të bëjë. Ai është i lirë të bëjë zgjedhjet e tij”, vijoi Blanc.

PSG e ka pezulluar mbrojtësin Aurier ndërsa mediat franceze flasin për një gjobë prej 75 mijë paundësh, por gjithsesi e ardhmja e tij në klubin parizies është vënë në pikëpyetje.

Aurier e përshkroi trajnerin Blanc si një homoseksual që kishte marrëdhënie intime me sulmuesin Zlatan Ibrahimovic. Ndërsa për portierin Sirigu ai tha se ishte i padobishëm dhe i mbaruar.  Mbrojtësi 23-vjeçar ka kërkuar publikisht falje për fjalët e tij.

Top Channel