“Detyrim paraqitjeje’ për Edmond Themelkon

13/02/2016 11:40

Gjykata Penale në Shkup i ka caktuar kreut të Bashkisë së Pustecit, Edmond Themelko masën ‘detyrim paraqitje’ në gjykatën e Resnjës dhe ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të caktuar masë paraburgimi për të.

Themelko akuzohet për përfshirje në parregullsi të shumta në disa cikle zgjedhore në Maqedoni.

“Lidhur me personin me iniciale E.T. refuzohet propozimi për paraburgim dhe i caktohet masa preventive, “paraqitje në gjykatën e Resnjës” një herë në javë. Duke mbajtur llogari që të mos zbatohet masë më e rreptë për siguri nëse qëllimi i njëjtë mund të arrihet me masë tjetër, aq më tepër edhe për shkak të gjendjes së dukshme shëndetësore të personit. Lidhur me tre personat e tjerë vendimi i gjykatësit në proçedurën paraprake është se propozimi për paraburgim refuzohet. Shkaqet për këtë vendim janë shkruar në arsyetimin, për të cilin është dhënë afat për ankesa brenda 24 orëve”, ka deklaruar zëdhënësja e gjykatës, Paula Bozhinovski.

Pasi ka dhënë dëshminë e tij, kreu i Bashkisë së Pustecit doli nga Gjykata Penale e Shkupit orës 3 mëngjesin e së shtunës. Ai dhe avokati i tij kanë refuzuar të prononcohen për mediat lidhur me akuzat e ngritura nga prokuroria speciale një ditë më parë.

Përveç Themelkos të premten në gjykatë kanë dalë edhe tre të akuzuar tjerë për manipulime në zgjedhje. Në mesin e tyre është ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski, si një nga të dyshuarit kryesorë për pa rregullsitë e shumta në ciklet e kaluara zgjedhore.

Por, për asnjërin prej tyre nuk është caktuar masë paraburgimi. Nga ana tjetër, prokuroria speciale e cila kërkoi paraburgim për tetë persona të akuzuar për manipulime në zgjedhjet e kaluara, ka paralajmëruar se do të ankimojë vendimin e Gjykatës Penale.

Top Channel