Zyra e Shtypit e Presidencës ka njoftuar se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, do të presë Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë, në datën 14 shkurt.
“Ditën e dielëm në orë 09:00, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të presë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry”, lexohet në njoftimin për shtyp.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry nuk do të qëndrojë shumë gjatë në Tiranë të dielën, por mesazhet e tij do të jenë shumë të rëndësishme.
Zyrtarisht, shefi i diplomacisë amerikane vjen në Tiranë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Dhe si në çdo festë, një falenderim nuk ka për të munguar nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, i cili, si në rastin e ujgurëve, i është gjendur amerikanëve për të zgjidhur edhe një tjetër problem delikat të saj, strehimin e anëtarëve të opozitës iraniane, që gjenden nën mbrojtjen amerikane në kampin “Liria”, në Irak.
Çështja e muxhahedinëve iranianë është pika e parë e axhendës së sekretarit amerikan të Shtetit dhe mësohet se ai do të falenderojë qeveritë e Shqipërisë që, në të kaluarën dhe tani, kanë marrë përsipër të strehojnë anëtarët e opozitës iraniane.
Disa vjet më parë, qeveria e kryeministrit Berisha mori përsipër të strehojë mbi 200 muxhahedinë, ndërsa tani qeveria e kryeministrit Rama ka rënë dakord të marrë përsipër strehimin edhe të 1 mijë iranianëve të tjerë, nga rreth 2.800 që janë aktualisht në kampin “Liria” në Irak.
Reforma në drejtësi është pika e dytë e rëndësishme e axhendës së Kerry-t në Tiranë. Burime diplomatike dhe politike konfirmuan për Top Channel se kjo pjesë e mesazheve që prek drejtpërsëdrejti politikën e brendshme në Tiranë është e detajuar dhe e mirëmenduar për mënyrën sesi do të artikulohen mesazhet.
Por Kerry ka edhe një pikë të tretë shumë të rëndësishme. Kosova do të jetë një nga temat që ai do të diskutojë me kryeministrin Edi Rama, duke i kërkuar një rol më aktiv të Shqipërisë, veçanërisht pas zhvillimeve shqetësuese në Kosovë, në prag të protestës së paralajmëruar të opozitës, në përvjetorin e tetë të pavarësisë dhe të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Top Channel