Memli Krasniqi jep dorëheqjen si kryetar i PDK-së, hapet rruga për konventë të re zgjedhore
Pas debateve shumë të ashpra mes deputetëve të shumicës dhe atyre të opozitës, parlamenti grek ka aprovuar me 154 vota pro, 102 kundër dhe 14 abstenime projektligjin e qeverisë që parashikon zhvillimin e një tenderi publik për dhënien e 4 licencave kombëtare për kanale televizive që do të transmetojnë në High Definition.
Ministri i Shtetit që ka paraqitur projektligjin në fjalë ka deklaruar se tani e tutje vendoset rregulli dhe ligjshmëria në një sektor ku mbizotëronte anarkia dhe klientelizmi, pasi në gjithë vendin funksiononin pa licencë për gati 26 vjet 8 kanale kombëtare të profilit të përgjithshëm, ndërsa mesatarja e shumicës së shteteve të BE-së,përveç Italisë, kanë nga 2 deri në 4 kanale kombëtare.
Deputetë të tjerë të shumicës kanë theksuar se përveç funksionimit pa leje, kanalet kombëtare i detyrohen shtetit në këto momente 18 milionë euro për taksën mbi reklamat dhe 4.8 milionë për gjobat e ndryshme të vendosura nga KKRT-ja, ndërsa ato periferike rreth 181 milionë euro. Vetëm 11 grupe mediatike kanë borxhe në katër bankat kryesore greke mbi 800 milionë euro.
Opozita nga ana e saj ka akuzuar kabinetin Tsipras se në këtë rast shmanget Kushtetuta që parashikon se këtë të drejtë e ka vetëm Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit, i cili ka më shumë se dy muaj që nuk mblidhte pasi forcat politike nuk bien në konsensus për përbërjen e tij.
Sipas ligjit të ri që mbështetet në një studim të Universitetit të Firences katër licencat e reja kombëtare do të jepen gjatë një tenderi publik përkundrejt një çmimi që fillon nga 3.5 milionë, do të jenë 10-vjeçare me të drejtë rinovimi, do të kenë kritere që sigurojnë punën dhe kushte për gazetarët dhe personelin teknik, ndërsa numri i të punësuarve do të duhet të jetë më shumë se 400 vetë për çdo kanal.
Top Channel