Tiranë, ekstradohet nga Greqia 22-vjeçari i dënuar me 8 vite burg

11/02/2016 09:00

Interpol Tirana ka ekstraduar nga Athina 22-vjeçarin Klajdi Demçe, i lindur në Korçë, i dënuar me 8 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe prishje e qetësisë publike.

Në datën 18 tetor 2013, ky shtetas ka qenë në qytetin e Korçës së bashku me shokun e tij, shtetasin V.Sh. Gjatë kësaj dite në telefonin e Klajdit vinin telefonata me numër të fshehur, ku ai fyhej dhe ofendohej nga disa persona të cilët i thonin se ndodheshin në një lokal në Korçë. Në këto kushte ai është nisur së bashku me shokun e tij drejt lokalit dhe në afërsi të tij është telefonuar përsëri, duke i thënë se ndodheshin në një lokal tjetër.

Klajdi në këtë kohë ka dalë nga makina, ka nxjerrë armën automatik dhe ka filluar të qëllojë në ajër. Ka hyrë në lokal dhe ka kërkuar të identifikojë personin, por nuk ka mundur dhe është larguar.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Top Channel