Mashtrim me kreditë, 3 të rinj me dokumente false vidhnin nga bankat

11/02/2016 15:40

Prokuroria e Tiranës ka zbuluar skemën e mashtrimit me anë të së cilës tre të rinj kishin arritur të merrnin, të paktën në 10 raste, kredi në katër banka të nivelit të dytë, duke e çuar shumën e përfituar në 15 milionë lekë të reja.

Të paktën këto janë të dhënat e deritanishme të hetimit, që po kryhet nga njësia task forcë kundër krimit ekonomik, dhe rastet, ashtu sikurse edhe shuma e tërhequr mund të rriten në ditët në vazhdim.

Sipas të dhënave hetimore, tre të rinjtë Paulin Aliaj, Elisabeta Imeraliaj dhe Edison Nuzi, tashmë të arrestuar, nëpërmjet kartave të identitetit false, vërtetimit të pagave false dhe sigurimet false shoqërore kanë mundur të mashtrojnë banka të ndryshme duke u marrë shuma të konsiderueshme parash në formë kredie.

Duke patur parasysh faktin se tre të rinjtë e kanë përsëritur këtë skemë të paktën në 10 raste, prokuroria po thellon hetimet për përfshirjen edhe të punonjësve të bankave në këtë skemë mashtrimi.

Pas arrestimit të tre të rinjve të lartëpërmendur kanë nisur të vijnë materiale të reja kallëzuese nga banka të ndryshme të nivelit të dytë, të cilat nga verifikimet u ka rezultuar se të rinjtë kanë tërhequr kredi edhe pranë sporteleve të tyre.

Top Channel