“Lëviz Albania”, SOROS shpall fituesit e ideve në rajonin e Shkodrës

11/02/2016 00:00

Pas dy ditë prezantimesh të projektideve nga OJF dhe individë të ndryshëm, “Lëviz Albania” ka shpallur fituesit e fazës së parë të këtij konkursi idesh për rajonin e Shkodrës. Ky është një proces, që do të shtrihet edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë.

Nga 30 aplikime të prezantuara para Bordit të Granteve, janë përzgjedhur 15 OJF dhe individë, që kishin paraqitur projektidetë e tyre, për të vijuar më tej këtë garë.

Sipas drejtorit ekzekutiv të “Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, Andi Dobrusha, “janë përzgjedhur ato projekte, të cilat shkojnë drejtpërdrejt në shërbim të qytetarit, duke shmangur projekte që kanë të bëjnë me trajnime apo tryeza të rrumbullakëta”.

“Ka qenë një proces tejet i gjatë, kanë aplikuar mbi 230 organizata. Kjo tregon interesin shumë të madh të këtyre organizatave për një nivel projektesh të tilla. Ky është një projekt 4-vjeçar, kështu që ky është vetëm fillimi dhe besoj se, edhe me ndihmën e medias ne do të kemi mundësi të thellohemi edhe më shumë, për ta promovuar si projekt”, tha Andi Dobrusha, drejtor ekzekutiv i “SOROS”-it.

Projekti “Lëviz Albania – Demokracia vendore në veprim” është një organizëm, që nëpërmjet financimit të projekteve të ndryshme synon të ketë një efekt katalizator për demokracinë vendore në Shqipëri.

“Lëviz Albania” financohet nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri dhe zbatohet nga një konsorcium i 3 organizatave shqiptare: “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, “Co-Plan” dhe “Partnerët shqiptarë”.

Top Channel