Haxhinasto: Tiranë-Elbasan përfundon brenda vitit

11/02/2016 17:10

Rruga e re që lidh Tiranën me qytetin e Elbasanit do të përfundojë brenda këtij viti, në të kundërt, kompania që ka fituar tenderin për ndërtimin e saj do të penalizohet.

Ky ishte paralajmërimi ndaj kompanisë i ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto, i cili iu përgjigj interesimit dhe kritikave të opozitës në lidhje me punimet në këtë rrugë.

“Ka një afat të miratuar zyrtarisht me kompaninë, fundi i vitit 2016. Nëse nuk respektohet do të penalizohet. Nëse kompania nuk performon sipas grafikut do të largohet dhe do të tenderojmë me një kompani tjetër”, tha Haxhinasto.

Ministri deklaroi se projekti ka një problematikë të madhe që në tenderim.

“Tiranë-Elbasan ka një problematikë të madhe dhe nuk është faji ynë që është fituar ai tender ashtu si është fituar dhe nuk ka mundësi kompania që të përfundojë me mënyrën si ka punuar. Po punojmë me fleksibilitetin më të madh për ta mbaruar atë rrugë. Po përgatitemi me parashtesë për të përfunduar atë rrugë, sipas standardit, duke riparuar projektin”, shtoi ai.

Në lidhje me këtë rrugë ka protestuar edhe dega e Partisë Demokratike në Elbasan, e cila kërkon nga qeveria përfundimin sa më parë të saj. Sipas demokratëve, punimet në këtë rrugë janë ndërprerë totalisht

Top Channel