Prishtinë, nis projekti për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme

10/02/2016 00:00

Në shkollat fillore të Komunës së Prishtinës ka filluar ndarja e mbeturinave të riciklueshme në kosha të veçantë, një projekt që pritet të zbatohet më pas në të gjithë Kosovën.

“Në njërën anë do të punohet drejtpërdrejt në ndërgjegjësimin e nxënësve. Fushatat kanë filluar prej vitit të kaluar. Ndërkohë, në anën tjetër do të ndihmohen klubet e gjelbërta të shkollave, nëpërmjet mjeteve që do të sigurohen nga mbeturinat që do të riciklohen”, tha Arbëri Nagavci, drejtoreshë për Arsimin në Komunën e Prishtinës.

“Do të jenë kompanitë e ricilklimit, ato që do të bëjnë grumbullimin e mbeturinave të reciklueshme, të cilat do të shkojnë më tej ose për eksport, ose do të rifuten në tregun vendas. Sidomos plastika, pasi ekziston fabrika e riciklimit të plastikës, që më pas të shitet sërish në tregun vendas”, tha Merlina Beu Muçaj, drejtoreshë e “Green Art Center”.

“Në Gjermani, ky është një biznes miliona dollarësh. Aktualisht bëhet një luftë sa i përket përpunimit të mbeturinave. Por, natyrisht kjo ndodh në Bashkimin Europian  dhe Kosova tani po përpiqet të shkojë në atë drejtim. Jemi vërtet të interesuar ta zbatojmë këtë projekt në Kosovë”, tha Kai Hofmann, menaxher i “GIZ”.

Ky projekt i përkrahur nga organizata joqeveritare gjermane “GIZ”, përveç shkollave do të zbatohet së shpejti  edhe në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, dhe në një lagje të Gjilanit, për të vazhduar me pika të tjera në Kosovë.

Top Channel