Moti i keq që ka përfshirë të gjithë gjirin e Durrësit ka shkaktuar pezullim të përkohshëm të lundrimeve dhe veprimtarisë së portit detar.

Era e fortë, me një shpejtësi 23 m/s dhe deti me forcë 7-8 ballë kanë mbajtur në kalatë dhe nën masa sigurie për të shmangur përplasjet anijet tregtare të tonazhit të vogël e të mesëm, si dhe flotën e peshkimit.

Ndërkohë, dy tragetet e linjës Bari-Durrës, në bordin e të cilave ndodhen 514 pasagjerë në total, qëndrojnë jashtë portit pa mundur të ankorohen në kalatë prej kohës së keqe.

Burime nga Kapiteneria e Portit bëjnë të ditur se situata pritet të qetësohet në orët e pasdites së sotme.

Moti i keq me erëra të fuqishme dhe deti me dallgë ka bërë që lëvizja në det për çdo anije të jetë e pamundur. Trageti i linjës Vlorë-Brindizi nuk është nisur nga Italia. Gjithashtu, edhe mjetet e vogla detare si peshkarexha apo dhe anije të vogla, që prej mëngjesit të sotëm janë ankoruar në port për shkak të motit të keq. Burime nga Kapiteneria e Portit bëjnë me dije se erërat janë të fuqishme, deri në 18 m/s, ndërsa lartësia e dallgëve në gji ka qenë deri në 6 ballë, ndërsa në det të hapur deri në 8 ballë.

Era fryn në drejtim jug-juglindje. Po ashtu, nga kapiteneria bëhet e ditur se kjo situatë do të vazhdojë deri nga mesnata, kur më pas do të ketë ulje të fuqisë së erës.

Top Channel