9 diga mbi Vjosë, qeveria prezanton projektin mes protestave ambientaliste

10/02/2016 20:25

Qeveria i paraqiti të mërkurën investitorëve potencialin që paraqet lumi i Vjosës për ndërtimin e veprave hidroenergjitike. Ministria e Energjisë thotë se studimi i kryer nga një kompani e huaj parashikon ndërtimin e 9 hidrocentraleve përgjatë rrjedhës së lumit.

Kontrata e parë u nënshkrua që në vitin 1997, ndërsa projekti i dytë për të cilin qeveria ka çelur tenderin për dhënien me konçesion 35-vjeçar është ai i Poçemit.

Kryeministri Rama pati deklaruar se qeveria do ruante habitatin natyral të Vjosës. “Ne kemi për Vjosën një plan tjetër, atë të parkut natyror dhe sigurisht nuk mund të kthehjmë mbrapsht hidrocentralet që janë në ndërtim. Por, që nga Kalivaçi e lartë ne nuk do të lejojmë të ndërtohet asnjë hidrocentral”, deklaroi Rama.

Tani qeveria thotë se ky është gjithësesi vetëm studimi i një kompanie të kontraktuar prej saj. “Ka një studim nga një studio e huaj për të pasur 9 hidrocentrale në këtë rrjet”, deklaroi zv.ministri i Energjitikës, Gëzim Musabelli.

Por kjo, sipas ambientalistëve, do t’i jepte fund përgjithmonë vizionit të ndërtimit të parkut të parë kombëtar të një lumi të egër në Europë.

“Vjosa është lumi i fundit i kësaj madhësie në gjithë kontinentin i mbetur, që rrjedh i lirë nga burimi deri në grykëderdhje. Pra, është pasuri natyrore jo vetëm kombëtare, por për gjithë Evropën. Shkatërrimi është përfundimtar”, tha ambientalisti Olsi Nika.

I pyetur, përse është vendosur të ndërtohen hidrocentrale në Vjosë, duke shkatërruar kështu vizionin për ndërtimin e një parku kombëtar, zv.ministri Musabelli tha:

“Ne nuk kemi vendosur ta shkatërrojmë Vjosën, për këtë duhet të na mirëkuptoni edhe ju. Por vendi ka nevojë për potenciale të tilla, për prodhim energjie dhe unë e theksova se po bëhet një studim më i theksuar”.

Studime të tjera apo jo, qeveria duket se do të përballet gjithnjë e më shumë me reagimin e ambjentalistëve dhe një opinion publik gjithnjë e më të ndërgjegjësuar për çështjen e mjedisit.

Top Channel