Analiza e punës për vitin e kaluar në prokurorinë më të madhe në vend, atë të Tiranës, nxorri si problematikë mbingarkesën e madhe të prokurorëve me çështje.
Sipas një përllogaritjeje matematikore, rezulton që një prokuror të hetojë një dosje në më pak se një ditë e gjysmë. Këtë fakt e pohon edhe vetë drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha.
“Ka disa vite që Prokuroria e Tiranës po përballet me një ngarkesë tej normales. Është një ngarkesë pothuajse e papërballueshme për prokurorët”, shprehet Fusha.
Një tjetër problematikë e konstatuar gjatë analizës ishte edhe rritja e numrit të pafajësive që gjykata ka dhënë, duke rrëzuar akuzat e prokurorisë. Por Fusha thotë se mbingarkesa nuk ka ndikuar në cilësinë e hetimit dhe, sipas tij, dosjet nuk kanë shkuar pa prova në gjykatë.
“Nuk mendoj se ngarkesa e punës ndikon në cilësinë e punës së prokurorëve. Çështjet që shkojnë në gjykatë janë të provuara me prova e fakte. Gjykata jep vendimin e saj, ndërsa ne kemi metodat tona ligjore për të ankimuar këto vendime. Në shumicën e rasteve janë pranuar ankimet tona në Gjykatën e Apelit, ka pasur dhe raste që nuk janë pranuar”, shpjegon Fusha.
Për të përballuar këtë situatë, kreu i Prokurorisë së Tiranës apelon për një shtim të paktën me 30% të numrit të prokurorëve që ka aktualisht ky institucion.
Top Channel