Dëmtimi i afreskëve në kishat e Korçës, kërkohet ndërhyrje

09/02/2016 16:00

Pas alarmit të hedhur pak ditë më parë nga Forumi për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore për shembjen rishtaz të afreskut 300-vjeçar të Kishes së Shën Thanasit në Voskopojë, drejtuesit rajonale të Monumenteve në Korçë thonë se nuk bëhet fjalë për dëmtim të afreskut, por vetëm shembje të suportit të llaçit të vendosur pak kohë më parë për përhapjen e mëtejshme të lagështisë.

Prej vitesh, një pjesë e afreskëve të kesaj kishe të shek 17, objekte kryesore që tërheqin vëmendjen e turistëve kanë pësuar dëmtime dhe mungesa e fondeve dhe sidomos e ndërhyrjeve të specializuara kanë bërë që ato të jenë të pakthyeshme.

“Nuk ka patur dëmtim të afreskut, por ka patur dëmtim të suportit të llaçit që mban afreskun. Këto problematika ndodhin kryesisht gjatë dimrit si pasojë e lagështisë dhe temperaturave të ulta dhe menjëherë javën që vjen temperaturat do jenë optimale dhe do të jenë disa gradë plus dhe kjo na lejon që të kryejmë disa ndërhyrje për të mos lejuar degradimin e mëtejshëm të suportit të llaçit”, thotë Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Korçë.

Kisha e Shën Thanasit, e  ndërtuar në kodrën me të njëjtin emër, është unike në llojin e saj me pikturat  murale ku pasqyrohen torturat e shenjtorëve.

Drejtuesit lokalë kanë ngritur shpesh zërin për këtë gjendje që rrezikon të shkatërrojë vlerat shekullore të trashëgimisë kulturore në Voskopojë dhe objekteve që në mungesë të restaurimeve serioze janë lënë në mëshirë të natyrës.

“Kjo është një e vërtetë që këto kisha kanë probleme të vazhdueshme si pasojë e amortizimit. Këto vijnë edhe gjatë kohës kur ka shi dhe duhet më shumë punë nga Ministria, më shumë vëmendje”, thotë Luan Fidani, administrator i njësisë administrative, Korçë.

Top Channel