PDK i kërkon presidentes së re të kthejë Ligjin për Specialen në Kuvend, Justina Shiroka Pula pritet të marrë vendimin Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar barometrin vjetor të perceptimit të publikut për politikën e jashtme, dialogun me Serbinë dhe aleatët e Kosovës. Sipas raportit, 90 përqind e të anketuarve Serbinë e kanë listuar si shtetin më armiqësor ndaj Kosovës.
Ndërsa 94.6 për qind e të anketuarve e konsiderojnë Shqipërinë si një fqinj miqësor, duke renditur atë si partnerin më të madh të Kosovës në rajon, ndërsa vetëm 2.2 për qind e të anketuarve kanë konsideruar Shqipërinë të jetë si një fqinj armiqësor shkruhet në raport. Kjo është cilësuar si një rritje e lehtë e mendimit pozitiv për Shqipërinë, krahasuar me edicionin e mëparshëm.
Sipas raporti, 71.7 përqind e të anketuarve kanë qëndrim negativ sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa, 55.9 për qind e të anketuarve janë pesimistë në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd, duke besuar se situata nuk ka ndryshuar nga para fillimit të dialogut, dhe se marrëdhëniet nuk janë normalizuar. Mbi 90 përqind e të anketuarve kanë vlerësuar se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë aleatet më të mëdha të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa për herë të parë edhe Turqia është perceptuar nga 80 përqind e të anketuarve si një aleat i ri i mundshëm i Kosovës.
Nga ana tjetër, Rusia është konsideruar si një shtet armiqësor nga 86.7 për qind e të anketuarve, pasi të anketuarit vlerësojnë se ky shtet me lidhjet e ngushta që ka me Serbinë po e luftojnë pavarësinë e Kosovës. Raporti i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë është rezultat i intervistimit të 1070 respondentëve në mbarë territorin e Kosovës, prej të cilëve 88.4 përqind shqiptarë, 7.7 përqind serbë dhe 3.9 të anketuarve nga komunitetet tjera jo shumicë.
Top Channel