Tragjedia e Beragozhdës, 26 vazhdojnë trajtimin në spital

08/02/2016 14:30

Gjendja e të plagosurve nga tragjedia e Beragozhdës, në Pogradec, ku 30 persona morën lëndime të rënda si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi, vijon të mbetet e njëjtë.

Në Repartin e Djegie-Plastikës, në QSUT, po trajtohen 26 persona, 6 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore, mes tyre edhe 14-vjeçari Eri Hamolli, dhe vazhdojnë të mjekohen në reanimacion.

Mjekët thonë se të plagosurit po trajtohen me maksimumin e kapaciteteve, ndërsa e kanë cilësuar të rrezikshëm transportimin e tyre jashtë vendit, për shkak të komplikacioneve që mund të shfaqin pacientët gjatë rrugës.

Deri më tani nga ngjarja në Beragozhdë ka humbur jetën një person, Vasfi Fraholli, 50 vjeç, ndërsa një nga të plagosurit u largua nga spitali dy ditë më parë.

Top Channel