
Kosova dhe Maqedonia kanë nënshkruar këtë të hënë, marrëveshjen për kalimin e kufirit me letërnjoftime biometrike.
Në Prishtinë, ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Maqedonisë, Hashim Thaçi dhe Nikola Poposki nënshkruan edhe protokollin për hapjen e pikës së re kufitare të përbashkët, Stançiç-Belanoc.
“Sot është një moment i ri për popujt tanë. Nënshkruam marrëveshje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Orientimi ynë është që, sa më parë të jemi pjesë e BE-së dhe NATO-s, pra një orientim euroatlantik. Mendoj se ky bashkëpunim i shkëlqyer i vendeve tona i kontribuon paqes dhe stabilitetit në tërësi në rajon, prandaj kemi vlera dhe interesa të përbashkëta”, tha Hashim Thaçi, ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.
“Interesi ynë strategjik është të kemi një fqinj të qëndrueshëm dhe, në këtë drejtim i nënshkruam këto dy marrëveshje sot. Në frymën e këtij bashkëpunimi biseduam edhe për projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe mundësinë, që të marrim mbështetje për projekte të tilla edhe nga BE-ja e institucione financiare ndërkombëtare”, tha Nikola Poposki, ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë.
Procedurat e marrëveshjes, për kalimin e kufirit Kosovë-Maqedoni me karta identiteti, kanë nisur vitin e kaluar, teksa pas një takimi me ministrin Poposki, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se, lehtësimi i kushteve për kalimin e kufirit dhe çështje të tjera mund të promovohen si kontekst i përbashkët në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
Zbatimi i marrëveshjeve, sipas zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, është çështje teknike dhe pritet të realizohet së shpejti.
Top Channel