Të indinjuara nga mënyra barbare e vrasjes në Londër ditë më parë e Elidona Demirajt, një vajzë shqiptare 25-vjeçare, gra shqiptare që banojnë në kryeqytetin britanik kërkuan dhënien fund të dhunës ndaj grave në familjen shqiptare.
Elidona Demiraj u vra nga i dashuri i saj, 31-vjeçari Arben Rexha javën e kaluar.
Me iniciativën e një nga shoqatave të komunitetit shqiptar në Britani, “Shpresa Programme”, në homazhet e bëra përpara pallatit ku u vra Elidona Demiraj nga Tropoja, gratë shqiptare vendosën lule në vendin e krimit.
Duke ngushëlluar familjen e viktimës për humbjen, Luljeta Nuzi, drejtuese e kësaj shoqate, tha për Top Channel se duhet të punohet më shumë për ndërgjegjësimin dhe ndalimin e dhunës ndaj grave në familjet shqiptare.
31-vjeçari Arben Rexha ka dalë tashmë përpara gjykatës. Policia britanike është e rezervuar për motivet e vrasjes dhe nuk ka publikuar fotografinë e çiftit.
Shoqata “Shpresa Programme” ndërkohë ka hapur edhe një faqe në uebsajtin “justgiving” për të grumbulluar 2500 sterlina për riatdhesimin e trupit të viktimës.
Autori i dyshuar i vrasjes do të paraqitet para Gjykatës së Lartë në një seancë paraprake në 21 prill, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij pritet të fillojë në 11 korrik.
Top Channel