Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë ndërmarrë një nismë për mbjelljen e 1 mijë rrënjëve ullinj në zonën e Gërdecit.
Kjo nismë vjen pas pastrimit të kësaj zone nga municionet dhe në kuadër të masave që qeveria shqiptare po ndërmerr krahas moratoriumit 10-vjeçar për ndalimin e shfrytëzimit të pyjeve, për qëllime që shkojnë përtej nevojës jetike të banorëve të zonave të ndryshme për t’u ngrohur gjatë dimrit.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, stafi civil e ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe pjesëtarë nga të gjitha forcat, njësitë dhe repartet e Forcave të Armatosura.
“Ky është një nga operacionet më të rëndësishme të Forcave të Armatosura dhe vjen në një zonë simbol të keqpërdorimit nga to. Nga një vend i vdekjes, e kthejmë Gërdecin në një vend ku lulëzon jeta e gjelbër”, tha ministrja Kodheli.
Duke vlerësuar moratoriumin e vendosur nga qeveria për ndalimin e shfrytëzimit të pyjeve, ministrja e cilësoi masakër mjedisore, shfrytëzimin që i është bërë pyjeve gjatë viteve të fundit.
“Moratoriumi konsiderohet si një nga reformat më të mëdha të qeverisë shqiptare. Është e paimagjinueshme se çfarë i kemi bërë mjedisit në këto vjet. Janë prerë mbi 200 mijë hektarë pyje dhe nuk është mbjellë asgjë në krahasim me atë që kemi prerë, çka ka sjellë përmbytje e shkatërrim. Pas një dekade do të ishim një vend totalisht i zhveshur. Të parët na e lanë mjedisin të pastër, ashtu siç kemi detyrimin t’ia lëmë fëmijëve tanë. Kemi mbjellë 1 mijë pemë, por është si të kenë lindur 1 mijë fëmijë”, tha Kodheli.
Top Channel