Serie A, Napoli dhe Juventusi vazhdojnë të fitojnë, ndalet Milani

07/02/2016 17:10

Napoli dhe Juventusi janë të pandalshëm në Serie A. Ekipi i Sarrit mposhti 1-0 këtë të diel Carpin, duke regjistruar fitoren e tetë radhazi. Por rekordin për fitoret radhazi në këtë kampionat e mban Juventusi. Bardhezinjtë prej 14 javësh dinë vetëm të fitojnë, këtë herë ishte Frosinone ekipi i mposhtur.

Edhe pse me vështirësi, Napoli mori më të rëndësishmet nga ndeshja e kësaj jave, 3 pikët. Carpi mbeti me një lojtar më pak në minutën e 56, pas daljes me kartonin e kuq të Bianco. Vendasit e rritën ndjeshëm presion dhe në minutën e 69 fituan një penallti, të cilën e ktheu në gol i përhershmi Higuain.

Një fitore deri diku të ngjashme arriti edhe Juventusi. Bardhezinjtë mposhtën Frosinonen 0-2 në transfertë. Goli i parë për torinezët u shënua Cuadrado, vetëm 15 minuta nga fundi i takimit. Megjithatë ky nuk ishte goli i vetëm në këtë takim, pasi në fund rezultati u vendos nga argjentinasi Dybala, që i çoi shifrat në 0-2.

Pas dy ndeshjeve mjaft pozitive, Milani gabon në shtëpi. Ekipi i drejtuar nga serbi Mihajlovic mori vetëm një barazim 1-1 në “San Siro” ndaj Udineses. Në pjesën e parë shënuan miqtë, ndërsa në pjesën e dytë Niang barazoi rezultatin që mbeti i pandryshuar deri në fundin e kohës së rregullt.

Këtë të diel, në barazim u mbyll edhe ndeshja tjetër Sassuolo-Palermo, por me shifrat 2-2, ndërsa Chievo bëri surprizën në Torino, duke i mposhtur vendasit 1-2.

Pas javës së 24-t, renditja në Serie A kryesohet nga Napoli me 56 pikë, Juventusi i dyti me 54, ndërsa në vendin e tretë renditet Fiorentina me 46 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA