Refugjatët, BE-ja i bën thirrje Turqisë: Hapua dyert nevojtarëve

07/02/2016 00:00

Zyrtarë të BE-së i bënë thirrje Turqisë t’u hapë dyert dhjetëra mijëra refugjatëve sirianë, të bllokuar në pikën kufitare të Kilis pas largimit nga Aleppo, ku Rusia ka përforcuar fushatën e vet të bombardimeve.

Avionët rusë po vënë gjithmonë e më shumë në shënjestër grupet rebele, kundërshtare të Bashar al-Assadit, ndërsa ndërhyrja e Moskës muaj më parë u justifikua me luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Ankaraja pohoi një ditë më parë se mijëra sirianë të tjerë ishin nisur drejt kufirit të saj. Të shpërngulurit e fundit nga Aleppo llogaritet të jenë rreth 35 mijë. Ajo çfarë i shtyu këta njerëz të braktisin shtëpitë e tyre është një ofensivë madhore e forcave të regjimit, të mbështetura nga ajri prej rusëve, në zonat përreth qytetit që kontrollohen aktualisht nga rebelët.

Në Bruksel, shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini sqaroi se, blloku po i mundëson Turqisë fonde për t’u siguruar që ajo të ketë të gjithë mjetet, instrumentet dhe burimet e nevojshme për të mbrojtur e strehuar azilkërkuesit.

Bashkimi Europian arriti në muajin nëntor një marrëveshje me Ankaranë, së cilës i ofroi 3 miliardë euro në mënyrë që të kujdesej për refugjatët sirianë në tokën turke. Thirrja e Mogherinit u mbështet edhe nga Komisioneri europian i Zgjerimit, Johannes Hahn, si dhe ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së bllokut.

“Shoh pamjet e këtyre njerëzve, që presin në këmbë aty në kufi, dhe nuk mundem veçse të nënvizoj edhe njëherë mesazhin se, kush ka nevojë për ndihmë humanitare duhet lejuar të hyjë”, ishin komentet e Koenders.

Guvernatori i Kilis, Suleyman Tapsiz nuk e konsideron të nevojshme një lëvizje të tilë. Për momentin nuk i kemi mbyllur dyert, – thotë ai, – megjithatë nuk shoh përse duhet të lejojmë kaq shumë njerëz brenda kufijve tanë. Që kur filloi lufta civile në Siri, para afro 5 vitesh, Turqia ka pranuar mbi 2.5 milionë refugjatë nga vendi fqinj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA