Sulme të reja në Siri, mbi 35 mijë refugjatë drejt kufirit turk

06/02/2016 16:50

Ofensiva e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad në veri të Sirisë ka sjellë një tjetër zhvendosje masive të njerëzve që jetojnë atje.

Në 24 orët e fundit rreth 35 mijë sirianë janë larguar, çka ka krijuar tension në pikën kufitare me Turqinë, Bab al-Salam. Agjencitë e ndihmave në Turqinë jugore kanë ofruar menjëherë ushqim dhe strehim për ta.

Por për Peter Sutherland, një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara, qëndrimi i Europës ndaj refugjatëve po kërcënon unitetin e aleancës evropiane.

Ai u shpreh i alarmuar nga rritja e armiqësisë dhe ksenofobisë së politikanëve evropianë ndaj njerëzve që ikin nga lufta dhe persekutimi.

Nga ana e tyre, zyrtarët e Perëndimit thonë se  arsyeja pse ky eksod po thellohet çdo ditë e më shumë është mungesa e një zgjidhjeje politike për krizën.

Dështimi i bisedimeve të Gjenevës, të cilat monitoroheshin nga OKB, rezultoi sërish në mospajtimin e opozitës siriane dhe regjimit qeveritar të Assad.

Në ofensiven e fundit në Alepo, analistët gjykojnë se ka dorë edhe shefi i Kremlinit, Vladimir Putin. Këtë e përforcoi edhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili tha se bombardimet e Rusisë nuk kanë objektiv ISIS, armiqtë e Assad.

Për ekspertët, tashmë ka ikur koha kur konflikti sirian shihej si një problem i largët, pasi tani ai ka prekur të gjithë duke krijuar një zinxhir, nga përballimi i mijëra refugjatëve që duan t’i largohen luftës, e deri te frika se në radhët e tyre mund të jenë fshehur terroristë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA