Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi konfirmuan se do të shkojnë në takimin e përbashkët të thirrur nga presidentja për zgjidhjen e krizës politike.
Në një konferencë për shtyp, ata i bënë thirrje opozitës që të jetë në tryezën e ditës së hënë tek kryetarja e shtetit.
“Natyrisht që unë si kryeministër kam bërë vetë ftesë që të takohemi dhe nuk kam asnjë arsye pse të mos jem në këtë takim. Po ashtu, zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike ka treguar interesin dhe gatishmërinë që të marrë pjesë dhe që të marrim pjesë që të dy. Por, ne i bëjmë ftesë edhe liderëve të opozitës që të jenë të pranishëm”, ka deklaruar Mustafa.
“Duke konfirmuar përgjigjen pozitive, në të njëjtën kohë ftojmë edhe liderët opozitarë që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës. T’i bashkohen dialogut, sepse është zgjidhja e vetme, mundësia më e mirë dhe vullneti i qytetarëve të Kosovës. Në të njëjtën kohë është edhe këshilla e bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj, besoj që sot do të kemi një përgjigje pozitive nga liderët e opozitës, sepse është edhe në interesin e tyre”, ka thënë Thaçi.
Nga tre forcat e bllokut opozitar, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dhënë sinjale pozitive se ekziston vullneti për ta pranuar ftesën, ndërsa lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën i kanë thënë jo presidentes.
Takimi do të zhvillohet të hënën në mëngjes. Top Channel ka mësuar se në cilësinë e vëzhguesit, në këtë tryezë do të jenë ambasadori amerikan Greg Delawie dhe ai i BE-së, Samuel Zhbogar.
Top Channel