Ishmi, protestë për Kodrën. Drejtuesi i fondacionit: Na e la me testament piktori

06/02/2016 00:00

Banorët e Ishmit në Durrës kanë protestuar kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës për të zhvendosur eshtrat e piktorit me famë botërore, Ibrahim Kodra dhe vendosjen e tyre në një varr monumental në kodrën e liqenit artificial në Tiranë, një kërkesë e hershme kjo e fondacionit “Ibrahim Kodra”.

Përfaqësuesi i nderit i fondacionit, Jashar Arrëza deklaroi se prej vitesh ky fondacion, përfitues me testament i trashëgimisë së Kodrës, permes ekzekutorit të testamentit, Fatos Faslliu, ka kërkuar rivarrosjen e eshtrave të piktorit në Tiranë për të çuar në fund amanetin e Kodrës së madh.

“Vendosur mes figurave shumë të nderuara të kombit në Tiranë, me një mundësi shumë më të madhe të prezantimit. Unë besoj se është shumë e mirë dhe besoj se kjo i bën nder edhe Shqipërisë. Ai ka respektin e gjithë Shqipërisë”, ka deklaruar Arrëza.

Në testament, një kopje e zmadhuar e të cilit ndodhet në zyrën e Arrëzës në Durrës, shprehet qartë se e gjithë trashëgimia i lihet fondacionit, ndërsa bëhet distancimi i Kodrës nga familjarët e afërt e të largët.

I rrethuar nga pikturat e Kodrës, Arrëza thotë se Shqipëria ka nevojë për panteonin e personaliteteve ku Kodra pa dyshim ka vendin e tij.
Rivarrimi në Tiranë, pranë kolosit të letrave shqipe Faik Konica dhe të tjerëve do të lartësojë më tej emrin dhe veprën e këtij kolosi të penelit, duke e sjellë atë më pranë njerëzve dhe shndërruar varrin e tij monumental edhe në një tërheqje turistike.

Top Channel