Chelsea e Juventus “kryqëzojnë” rrugët e Allegri-Conte

06/02/2016 12:35

Caktimi i trajnerit të ri është kthyer në një çështje te Chelsea. Së fundmi kandidaturat kryesore për të marrë drejtimin e Bluve të Londrës janë shfaqur Massimiliano Allegri dhe Antonio Conte dhe ai që do të vendosë në fund është padroni i klubit londinez, Roman Abramovic.

Media britanike ka hapur një garë më vete në lidhje me këtë çështje. Sipas tabloidit ‘The Sun’, Chelsea ka bëra gati një kontratë për trajnerin e Juventusit me një pagë prej 10 milionë Eurosh neto në sezon, një shifër kjo që mund ta tundojë jo pak livornezin.

Allegri ka një kontratë me Juventusin deri në 30 qershor të vitit 2017 dhe kohët e fundit ka preferuar të anashkalojë pyetjet që i janë bërë në lidhje me të ardhmen e tij te kampionët e Italisë.

Nga ana tjetër, te Zonja e Vjetër askush nuk dëshiron të privohet nga Allegri, megjithatë kjo nuk i pengon drejtuesit e kësaj skuadre që të mendojnë për zëvendësuesin e tij.
Marotta, në rast se Allegri vendos t’u thotë lamtumirë bardhezinjve, do të tentojë të rikthejë në pankinë Antonio Conte. Por problemi qëndron se edhe tekniku i të Kaltërve është vënë në shënjestrën e Chelseat, të paktën kjo është ajo që publikon ‘Daily Express’.

Gjithsesi Conte nuk është alternativa e vetme për të zëvendësuar Allegrin, në listën e torinezëve janë edhe emrat e Klopp, Paulo Sozës dhe Eusebio di Francesco.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA