Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe vendeve kandidate, i mbajtur në Amstërdam.
Diskutimet u përqendruan mbi përballjen me krizën e refugjatëve, si dhe mbi efektet anësore të saj për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e tij gjatë takimit, ministri Bushati e vuri theksin mbi efektet destabilizuese të krizës së refugjatëve mbi proceset zhvillimore dhe reformuese të rajonit.
“Përmasat e krizës kanë krijuar pikëpyetje mbi aftësitë e vendeve të prekura për të mbajtur gjallë procesin e zgjerimit të BE-së, duke u përballur njëkohësisht me pasojat e krizës”, u shpreh Bushati.
Në këtë kontekst, Shqipëria do të qëndrojë konsistente me angazhimet që ka marrë kundrejt partnerëve evropianë që prej tetorit të vitit të kaluar, tha ai.
“Jemi shprehur qartazi se jemi të gatshëm të jemi pjesë e zgjidhjes së kësaj krize. Sigurisht, në kuadër të kapaciteteve modeste që disponojmë dhe të një bashkëpunimi dhe mbështetjeje të përforcuar të BE-së”, shtoi Bushati.
Gjatë punimeve, pjesëmarrësit analizuan skenarë të ndryshëm të ecurisë së krizës së refugjatëve në muajt në vijim, si dhe vlerësuan risqet nga pikëpamja e sigurisë.
Risku që rrugët e përdorura nga refugjatët të kalojnë nga Shqipëria u cilësua si i ulët nga analiza ekzistuese, por vendi ynë do të vijojë të monitorojë situatën në bashkëpunim të ngushtë me vendet fqinje dhe agjencitë e specializuara të BE-së dhe OKB-së.
Top Channel