Moratoriumi pyjeve, drutë e zjarrit do të priten nga bashkia

05/02/2016 00:00

Pas miratimit në parlament të moratoriumit 10-vjeçar, për ndalimin e shfrytëzimit të lëndës drusore por edhe nënprodukteve të tij, i cili hyn në fuqi sapo të zbardhet në Fletoren Zyrtare, një çështje e mprehtë mbetet mënyra sesi do të furnizohet me dru zjarri popullata.

Ekspertët sqarojnë se bashkitë dhe komunat do të kenë përgjegjësi direkte për menaxhimin e pyjeve dhe për furnizimin e popullatës me dru zjarri e cila duhet të ketë kosto sociale.

“Bashkitë do të kenë bashkëpunim me një subjekt të vecvcantë që do të merret me shfrytëzimin e pyjeve vetëm me qëllim ngrohjen. Në varësi të bashkisë do të jenë stukturat e shërbimit pyjor. Janë rreth 200 mijë familje që shfrytëzojnë lëndën e drurit për ngrohje”, tha Zhaneta Prifti, këshilltare e ministrit të Mjedisit.

Ministria e Mjedisit sqaron se deri më tani ka 10 kontrata të mëdha me subjekte private të cilat do të ndërpriten. Do të përzgjidhet një firmë auditi, që do të vlerësojë nëse ministria duhet ose jo t’i dëmshpërblejë për ndërprerjen e kontratave. Në gjithë vendin shumë biznese kanë si lëndë të parë drurin, ndaj ministria ka propozuar në projektligjin për menaxhimin e pyjeve që po diskutohet në komision heqjen e TVSH-së.

“Heqja e TVSH dhe taksave të importit në mënyrë që tregu të jetë më i orientuar nga importi”, vijon znj. Prifti.

Në moratoriumin e pyjeve saktësohet se do të jetë ministria e Mjedisit, ministria e Brendshme dhe ajo e Financave që do të monitorojnë zbatimin e tij.

Top Channel