Maqedoni, opozita: Gruevski, 20 milionë euro mediave pro-qeveritare

05/02/2016 17:20

Qeveria e Shkupit nën drejtimin e Nikolla Gruevskit ka shpenzuar të paktën 20 milionë euro brenda tre viteve për propagandë në mediat pro-qeveritare.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i partisë opozitare LSDM, Petre Shilegov, duke prezantuar disa dokumente që sipas tij dëshmojnë kontrollin e plotë të pushtetit mbi mediat kryesore në gjuhën maqedonase.

“Në vend që këto para të investohen për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, 20 milionë euro u shpenzuan për propagandë, kronika ta porositura dhe fushata negative. 20 milionë euro për mediat ku kryeredaktor i vërtetë është Nikolla Gruevski. Kjo është një nga arsyet pse themi se pa përmbushjen e kushteve për informim objektiv nuk është e mundur të mbahen zgjedhje korrekte. Prandaj, Nikolla Gruevski nuk dëshiron media të lira dhe nuk pranon të miratohet ligj për rregullimin e mediave”, ka thënë Shilegov.

Ndërkohë, ditë më parë, zv.ministri për Administratën, Aleksandar Kiracovski, i emëruar në qeverinë teknike me propozim të opozitës maqedonase, tha se qeveria e Nikolla Gruevskit ka ndarë 2.6 milionë euro për mediat pro-qeveritare në gjuhën maqedonase një ditë pas ngjarjeve të Kumanovës, përkatësisht më 11 maj të vitit 2015.

Sipas tij, paratë janë transferuar në llogaritë e atyre mediave që gjatë luftimeve në Lagjen e Trimave u munduan të gënjejnë qytetarët se dikush dëshiron të destabilizojë Maqedoninë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA