Kriza e refugjatëve po i kushton Angela Merkelit shumë më tepër nga ç’mund të mendohej. Popullariteti i kancelares gjermane ka rënë në 46%, niveli më i ulët që prej 2011-s.
8 në 10 të intervistuar, thotë agjencia e lajmeve Bloomberg duke cituar sondazhin e realizuar nga Infratest për televizionin ARD, mendojnë se qeveria e ka humbur kontrollin mbi situatën.
Edhe pse kjo nuk është e para herë që mbështetja për Merkel bie nën 50%, problemi konsiderohet shumë më i thellë për arsyen e thjeshtë se përkrahja po vanitet si për vetë kancelaren, ashtu dhe për ekzekutivin në tërësi.
Bonusi i popullaritetit për qeverinë ishte avantazhi që e ndihmoi Merkelin të fitonte tre zgjedhje të përgjithshme. Hapja e kufijve për refugjatët qe një veprim që ajo e ndërmori e vetme: nuk pati vendim të BE-së, Bundestagu nuk u pyet dhe populli gjerman aq më pak.
Edhe pse fillimisht gjesti i saj, i konceptuar si thellësisht human, i solli shumë duartrokitje nga Gjermania e nga e gjithë bota, vazhdimi i politikës së dyerve të hapura dhe fluksi gjigand i emigrantëve në 2015-n prodhuan shumë shpejt efektin e kundërt.
70 për qind e gjermanëve shprehen sot të shqetësuar për shkak të vërshimit pa fre të të huajve. Nuk janë të paktë ata që vënë shenjën e barazimit mes Merkelit dhe krizës së refugjatëve, ndaj dhe pakënaqësia me punën e saj në krye të qeverisë është rritur.
Që tani, në radhët e CDU-së ka deputetë që thonë se pas zgjedhjeve të ardhshme duhet të ngrihet një komision hetimor parlamentar për ngjarjet e verës 2015, ndërsa Unioni Kristian Social ka kërcënuar një herë me padi për mosrespektim të Kushtetutës.
Top Channel