E PLOTË/ “Qeveria nuk rrëzohet me dhunë”, Rama: Për 4 muaj kam dëgjuar sharje dhe kërcënime poshtë zyrës, asnjë kërkesë konkrete. Ja ç’më tha pedagogu protestues Pas debateve të një dite më parë në Kuvend për Byronë Kombëtare të Hetimit, aleatët e koalicionit qeverisës do të mblidhen pasditen e të premtes për t’ju rikthyer kësaj çështjeje.
Rama dhe Meta në orën 17:00 pritet t’i drejtohen ish-vilës 30 për të bashkëdrejtuar mbledhjen e radhës të asaj që njihet si “Njësia e Koordinimit të Koalicionit”.
Formatit të kësaj, mbledhje krahas krerëve të grupeve parlamentare Ruçi dhe Vasili, do t’i bashkohet edhe Spartak Braho, “deputeti i dyfishtë”, siç parapëlqen ta quajë, Ilir Meta.
Braho ishte ai që udhëhoqi propozimet e LSI të kthyera në një draft për reformën në drejtësi, të diskutuara në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të kësaj reforme e më pas dërguar Venecias.
Aleatët do të ulen përballë njëri-tjetrit për të pleqëruar mbase qëndrimin final, pas ping-pongut politik të prodhuar në Kuvend,nga ku Meta duke iu drejtuar opozitës i sugjeroi të depozitojnë në Kuvend variantin për të cilin ajo është dakort dhe t’u nënshtrohet procedurave parlamentare, duke premtuar dhënie prioriteti.
Ndërsa kryeministri Rama, nga foltorja e Kuvendit u kujtoi të gjithëve 12 marsin, koha kur Komisioni i Venecias do të sjellë raportin final për ndryshimet kushtetuese, pjesë e të cilit është Byroja Kombëtare e Hetimit, tashmë e “pagëzuar” nga ekspertët e nivelit të lartë me emrin Njësia e Posaçme e Hetimit.
Një javë më parë, Spartak Braho i tha Top Channel se Byroja e Hetimit nuk është e nevojshme të sanksionohet në Kushtetutë, siç propozojnë ekspertët në nenin 148, por mjafton ngritja e një ligji. Por kjo deklaratë u përgënjeshtrua nga vetë Ilir Meta si personale.
Në takimin e sotëm Rama dhe Meta do të duhet të japin përgjigje mes veti disa pyetje ku më kryesorja mbetet se nga kush do të varet Byroja, Ministria e Drejtësisë, sipas modelit kroat të USKOK-ut, apo tërësisht e pavarur si DNA në Rumani?
Top Channel