Shtetet e Bashkuara dhe Franca akuzojnë Moskën dhe Damaskun për devijimin e bisedimeve të brishta të paqes për Sirinë.
Vazhdimi i sulmeve ajrore nga ana e regjimit sirian kundër zonave të kontrolluara nga rebelët në një kohë kur në Gjenevë me vështirësi të madhe po planfikohet ulja e palëve në tryezën e negociatave është konsideruar nga Parisi dhe Uashingtoni si minim i përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit disavjeçar.
Forcat e opozitës siriane e kanë bërë të qartë që në fillim se po nuk ndaluan sulmet, nuk do të ketë negociata. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius tha se Damasku dhe Moska po i godasin përpjekjet e paqes me silurë.
Për kryediplomatin amerikan John Kerry, raundet e fundit të bombardimeve dëshmojnë qartë se Bashar al Assad nuk e dëshiron armëpushimin.
“Vazhdimi i sulmeve nga ana e forcave të regjimit sirian, i mundësuar dhe nga bombardimet ajrore ruse mbi zonat e kontrolluara prej opozitës, sinjalizon qartë synimin e gjetjes së një zgjidhjeje ushtarake të situatës, në vend që të tentohet arritja e një kompromisi politik”, deklaroi Kerry.
I derguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura i pezulloi përkohësisht bisedimet e planifikuara të mërkurën, por këmbënguli të sqaronte se ky nuk është as fundi e as dështimi i nismës. Bisedimet, sipas De Misturës, do të rifillojnë në 25 shkurt.
Që prej shpërthimit të saj në 2011-n, lufta civile siriane ka kushtuar më shumë se 260.000 jetë njerëzish e thuajse se gjysmën e popullsisë së këtij kombi e ka kthyer në refugjate.
Duke përfituar nga kaosi që ka pushtuar vendin, qershorin e vitit 2014 xhihadistët e Shtetit Islamik e shpallën Sirinë “pjesë të kalifatit të tyre”, duke i shtuar konfliktit një dimension të ri.
Top Channel