Mijëra grekë kanë dalë nëpër rrugët e Athinës paraditen e së enjtes, në një grevë 24-orëshe të paralajmëruar prej Konfederatës së Sindikatave, për të protestuar ndaj reformës së pensioneve dhe masave drastike, që ka marrë qeveria “Tsipras” në përmbushje të kërkesave të huadhënësve.
Nën udhëheqjen e sindikatave të majta, por edhe me mbështetjen e partisë së radikalëve të majtë të “Syriza”-s, grekët i kërkuan kryeministrit, Alexis Tsipras, të heqë dorë nga masat e rrepta ekonomike dhe të aplikojë një formulë më sociale në reformimin e skemës së pensioneve dhe të mos pranojë kërkesat e ashpra të huadhënësve, duke i quajtur ato si të ashpra dhe barbare.
“Protestojmë masivisht sot kundër masave vdekjeprurëse që ka ndërmarrë qeveria ‘Tsipras’. Ne kërkojmë që të ndalojë refromimi i skemës së pensioneve. Çdo gjë iu është falur të huajve. Po na ulin rrogat, po mbyllen kompanitë tregtare, taksat janë shumë të larta dhe tani po reformojnë skemën e pensioneve. Nëse edhe kjo kalon, atëherë nuk ka pensione për ne, nuk do të ketë për brezat e ardhshëm. I bëj thirrje popullit të protestojë dhe qeverisë të tërhiqet nga këto masa represive që po aplikon”, tha një prej sindikalistëve.
Në protesta morën pjesë masivisht të gjithë sektorët ekonomikë të vendit, ndërsa bujqit vazhdojnë të mbajnë të bllokuara për orë të tëra, akset kryesore të vendit.
Për shmangien e akteve të dhunës mes protestuesve dhe forcave të rendit, në rrugët e Athinës janë më tepër se 1.500 policë, ndërsa helikopterë të policisë patrullojnë nga ajri.
* Ashtu siç edhe pritej, kanë degjeneruar në akte dhune protestat e sindikatave greke të zhvilluara në Athinë dhe Selanik. Grupe ektremistësh anarkistë hodhën gurë dhe bomba molotov kundër forcave të rendit, të cilat u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe granata shpërthyese. Përleshjet u zhvilluan në sheshin “Sindagma” dhe në rrugët Panepistimiu dhe Stadhiu, si dhe në sheshin “Omonia”.
Prej sulmit të anarkistëve, u dëmtuan disa vitrina dhe shumë trotuare, pllakat e të cilëve u kthyen në “armë” sulmi prej anarkistëve kundër forcave të policisë. Përleshjet vazhduan për gati një orë, ndërsa qendra e Athinës është nën efektin mbytës të kimikateve të përdorura prej policisë. Grupet anarkiste iu drejtuan sheshit të lagjies Eksarqia, ku rreth 300 prej tyre mbajnë nën tension situatën.
Policia thotë se ka disa të ndaluar lidhur me aktet e dhunës në Athinë. Përleshje dhe akte dhune u shënuan edhe në protestat e tjera në qytetet e mëdha, kryesisht në Selanik, ku qindra protestues u përleshën me forcat e rendit.
Top Channel