Masa të forta sigurie për finalen e “Super Bowl”

04/02/2016 12:20

Finalja e Super Bowl e këtij viti do të jetë një prej ngjarjeve më të mbrojtura në historinë e aktiviteteve sportive në SHBA. Autoritetet policore në këtë vend, duke marrë shkas edhe nga ngjarjet e kohëve të fundit në Paris dhe San Bernardino, kanë vendosur të marrin masa shumë të forta sigurie për sfidën mes Denver dhe Carolina, edhe pse deri tani nuk është shfaqur asnjë kërcënim serioz.

Mësohet se qindra agjentë në ditët në vazhdim do të shkojnë në “Levi’s Stadium” të Santa Klarës, ku do të zhvillohet edhe ndeshja e Super Bowl, ndërkohë që FBI do të angazhojë edhe trupa të forcave SWAT si dhe ekspertë të çaktivizimit të bombave për të qenë në gadishmëri për çdo rast.

“Finalja e Super Bowl është një ngjarje shumë e rëndësishme. Grupet terroriste mund të përfitojnë nga fakti që kësaj ndeshjeje po i bëhet një reklamim i madh për të kryer ndonjë sulm. Nëse njerëzit vënë re ndonjë gjë të dyshimtë, të lajmërojnë menjëherë autoritetet”, tha agjenti i FBI-së, David Johnson.

Sfida e Super Bowl mes Denver dhe Carolina do të ndiqet nga më shumë se 100 milionë persona brenda territorit të SHBA-së si dhe shumë miliona të tjerë në mbarë botën.

Vitin e kaluar ai që u shpall kampion i National Football League ishte New England Patriots, që këtë sezon u eliminua nga Denver Broncos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA