Për të tretën herë brenda tre muajve të fundit, Greqia paralizohet nga një grevë e re e përgjitshme 24-orëshe, që konsiderohet si greva më e madhe kundër qeverisë së majtë të kryeministrit Tsipras që kur ai ka ardhur në pushtet në janar të vitit të kaluar.

Greva është organizuar nga konfederata e sektorit publik ADEDY dhe atij privat GSEE, që kundërshtojnë projektligjin e ri të sigurimeve sociale që pritet të miratohet gjatë këtij muaji.

Në mitingjet e organizuara në vende të ndryshme të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të mëdha të vendit mijëra pjesëmarrës ngrejnë zërin dhe protestojnë për këtë ligj të imponuar edhe nga kreditorët e Greqisë.

Prej orës gjashtë të mëngjesit nuk do të funksionojnë ose do të punojnë me orar të kufizuar mjetet e transportit publik. Në grevë janë edhe rreth 30000 shoferë të taksive në të gjithë vendin dhe nuk punon asnjë pikë e furnizimit me karburant. Prej mëngjesit  janë të mbyllura të gjitha shërbimet shtetërore, ministritë, zyrat e tatim-taksave, bashkitë dhe prefekturat, muzeumet, shkollat, farmacitë dhe bankat.

Spitalet funksionojnë me stafin e emergjencës, anijet janë të ankoruara në porte, shumë fluturime janë anuluar, ndërsa nuk do punojnë edhe nëpunësit e doganave.

Gazetarët kanë kryer grevën e tyre një ditë më parë, në mënyrë që të mbulojnë zhvillimet e ditës, ndërsa në grevë marrin pjesë edhe juristët që kundërshtojnë reformat e reja për pensionet dhe do vazhdojnë të mos punojnë në shenjë proteste bashkë me noterët edhe për disa ditë të tjera.
 
Mbështesin grevën e sotme edhe sindikatata e bizneseve të vogla si dhe fermerët që sot kanë hapur të gjitha rrugët e bllokuara me qëllim që të lehtësojnë pjesëmarrjen e qyetarëve në mitingjet dhe protestat, por ndërkohë kanë paralajmëruar se në fundjavë do të bllokojnë të gjitha rrugët e vendit, doganat si dhe hyrjet e porteve dhe aeroporteve me traktorët e tyre.

Greva mbarëkombëtare përkon me mbërritjen në Athinë të ekspertëve të huadhënësve që po rishikojnë dhe vlerësojnë mbarëvajtjen e programit të ndihmës prej 86 miliardë që do marrë vendi gradualisht në shkëmbim të reformave të ndryshme, midis tyre edhe ajo e pensioneve, sistemi i ri i taksave dhe rishikimi i kredive të këqia.

Qeveria Tsipras, që thotë se reforma e pensioneve është e domosdoshme për të siguruar vazhdimësinë e tyre për të gjithë grekët në vitet e ardhshme, kërkon që të kursejë nga subvencionet shtetërore më shumë se 1.8 miliardë euro ose 1% të PBB-së. Për të mbrojtur pensionistët të cilët kanë parë pensionet e tyre të reduktohen 11 herë prej vitit 2010, Athina planifikon të rrisë kontributet shoqërore, por ka hasur në kundërshtimin e fortë të sindikatave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA